logo


Qytete Historike

Dioqeza e Sapes

Gjush Sheldija (1902 – 1976)

Shënime historike rreth dioqezës së Sapës

Dioqeza e Sapës që populli tashti e quen Zadrimë, ishte e ndamë në dy dioqeze të vogla, si ajo e Sardës dhe ajo e Dejës. Dokumentat e shek.XIV dishmojnë se Car Dushani ia fali kuvendit ortodoks të Prizrenit kishën e vogël buzë kalasë së Dejës, kushtue Shën Mërisë. Mandej kaloi nder duer të Ballshajvet të cilët në Dejë patën një doganë të randësishme. Gjergji Strazimiri Balsha ua lëshoi venedikasvet në vitin 1396, por para se ta shtinte në dorë Venediku e zaptoi Kojë Zakarija “Zotnija i Sapës dhe i Dejës”, i cili u kthye në fe katolike së bashku me familjen e vet. Sikurse shifet nga një letër që i dergon me 14 korrik 1414 Papa Gregori XII. Kah viti 1431 del aty një sundimtarë turk. Në vitin 1444 Boza, e bija e Kojës, nana e Lekë Zakarisë ia ktheu Venedikut Dejen së bashku me kështjellën e Shatit (kalaja e Sapës). Në vitin 1447 e merr Skanderbeu e me 1456 kalon ndër duer të Dukagjinasvet, por Lekë Dukagjini në marrëveshje me vëllaznit ia lëshuen Venedikut, në vitin 1458.
Vargu i ipeshkëvijve të Dejës kapet deri në 11. Nisë nga 1361 deri në vitin 1520. Papa Eugeni IV, mjesa ishte ipeshkëv titullar Pjetër Metija (27 korrik 1428), kishte bashkue në një dioqezet e Sardës, Sapës e të Dejës. Si dioqezë qe fare i vogël e duket se përfshinte edhe Sheldijen, Ganjollën, Gomsiqen, e Gryken e Gjadrit. Deja pati kishen katedrale mbrenda ledhevet të kalasë kushtue Shën Markut, ndertue në rrenojat e një kishe së vogël që asht rindertue mbi mbeturinat e germadhat e së vjetrës. Në derën e anës lindore, ne e djathtë, asht një rrasë me një datë përkujtimore 1455. Poshtë në breg të Drinit qendron në kambë kisha e vogël e stilit gotik, me afreske permbrenda kushtue të Lemit të Zojës. Permendet që më 1198, e i ka qëndrue rrymës së motevet dhe asht i vetmi monument meskohuer në kambë që shofin sot. Bri kësaj, në vitin 1930 Dom Nikollë Sheldija, asokohe famullitar aty, ndertoi një kishë të re të të njajtit stil, veper e Inxh. Kolë Idromenos.
Sikurse del nga Dokumentet, Sarda (Shurdhahi) asht ma e vjetër, ende sot shifen rrenojat sipri krepavet të Leja e Dushit përmbi Dri, përkundruell kishës famullitare të Mazrrekut si edhe gërmadhat e kuvendit të vjetër të benediktinëvet në Shat që i kje kushtue Shën Sofijës.
Si seli ipeshkvnore përmendet përpara gjysmës së parë të shek. V, simbas një letre të Papës Celestinit I që ia dergon ipeshkvijve të Ilirisë me nënshkrimet e tyne në Konçilin e Efezit në vitin 131.
Vargu i ipeshkvijve të Sardës fillon me 1190 e mbaron me 1660. Me 1490 Sarda u aneksue me dioqezan e Sapës. Sigurisht se kah fundi i shek.XII dioqeza i Sardës kapej me kufi me dioqezan e Pultit tue përfshi edhe 7 bajrakët e Pukës. Papa Marini V (1428) bashkoi kishën e Dejës me të Sardës. Kur nuk zgjodhën ma ipeshkëvij të Sardës, administrimi i Dejës iu mbështet ipeshkvisë së Sapës qysh më 1490, Sarda Deja e Sapa, u bashkuen në një.

Qyteti i Danjes (Dejes)
Historia
Kështjella është e njohur që në vitin 1395. Konstantin Balšić pushtoi Danjën, megjithatë, e humb atë nga i afërmi i tij, Đurađ II Balšić, mbreti i Zetes. Më 1396 Koja Zakarija, një vasal osman, pushtoi Danjën. Pasi dëgjoi gabimisht se sulltani turk, Murati II, kishte vdekur, Gjergj Arianiti organizoi një kryengritje të madhe kundër turqve në 1433. Nikollë Dukagjini, shfrytëzoi këtë rebelim dhe pushtoi tokat e ish-familjes së tij, duke pranuar si shtet feudal Venedikun. Ai i dha Danjën Venedikut. Venediku shpejt mësoi se sulltan Murati ishte në të vërtetë gjallë. Nga frika se Venediku po provokonte osmanët, ata i prishën të gjitha marrëdhëniet me Dukagjinin, dhe e transferuan Danjën në duart e turqve më 1435.
Anëtarët e Lidhjes Shqiptare së Lezhës, Nikollë Dukagjini dhe Lekë Zakarija, mbret i Danjës, ishin në mosmarrëveshje rreth asaj se kush duhej të martohej me Irene Dushmanin, fëmija i vetëm i Lekë Dushmanit, princ i Zadrimës. Princat shqiptarë ishin ftuar në dasmën e motrës së vogël të Skënderbeut, Mamicës, e cila ishte duke u martuar me Muzaka Topia në 1445. Pasi hyri Irene filloi shumë shpejt dhe armiqësia mes tyre. Dukagjinini i kërkoi Irene të martohej me të, por Zakarija i dehur e pa këtë dhe e sulmoi Dukagjinin. Disa princa u përpoqën t’i japin fund luftës, por kjo çoi ne perfshirjen e shumë princave gje, që solli shumë vdekje deri sa u krijua paqja. Asnjë nga të dy kundërshtarët nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim fizik, por Dukagjini ishte poshtëruar moralisht. Në një akt hakmarrës, Dukagjini e zuri në pritë dhe e vrau Zakarijan në 1447.
Kjo solli armiqësine e qytetit në drejtim të Lidhjes Shqiptare. Venediku shpejt dërgoi një forcë në Danjë dhe popullsia lokale i dha mbështetjen e saj Venedikut, duke përfshirë edhe nënën e Zakarijas. Venediku pastaj vendosi të pushtoje tokat e tjera të Zakarijas duke përfshirë tokat e Sati, Gladri dhe Dushmani, me marreveshjen e nënës së Zakarijas. Skënderbeu kishte urdhëruar kthimin e këtyre qyteteve, dhe Drishtin, ne duart e shqiptarëve, megjithatë, Venediku refuzoi. Lidhja Shqiptare dërgoi lajmëtarë tek fqinjët e tyre veriore, Principatës së Zetës (nën Stefanica Crnojević) dhe Despotatin e Serbisë (nën Đurađ Brankoviç ) për të ndihmuar Lidhjen kundër armikut të tyre Venedikut. Brankovic u shpreh i gatshëm për të ndihmuar kundër Venedikut, megjithatë, bëri të qartë se ai nuk do të ndihmonte ne luften kundër armikut të tyre të përbashkët osman.
Skënderbeu urdhëroi pushtimin e Danjës në 1447. Venedikasit, panë këtë qytet aq te rëndësishëm, më të rëndësishëm në fakt se sa lufta e tyre kundër otomanëve. Venediku ofroi një shpërblim për këdo që mund të vriste Skënderbeun. Venediku madje dërgoi edhe lajmëtar tek osmanët për të sulmuar Shqipërinë edhe një herë më shumë.
Skënderbeu, mësoi se Venediku dërgoi një forcë për të mbrojtur Danjën. Ai pastaj la një forcë të vogël për të vazhduar rrethimin mbi qytet. Ndërkohë, Skënderbeu marshoi nga qyteti për të takuar ushtrinë veneciane në Lumin Drin. Ajo qe njihet si Beteja e Drinit në 1448 eshte kur ushtria shqiptare mundi Venedikasit.
Prania e Venedikut u reduktua në garnizione të vogla brenda disa qyteteve të rrethuara me mure, duke përfshirë Danjën. Venedikasit hapën negociatat për paqe me shqiptarët në Alessio dhe paqja u nënshkrua në mes përfaqësuesve të ndryshëm të të dyja palëve më 4 tetor 1448. Nënshkruesit ranë dakord që Venediku do të paguajë 1,400 dukat në vit për Skënderbeun dhe trashëgimtaret e tij meshkuj dhe se Venediku do të hiqte dorë nga Danja dhe të gjitha tokat përreth.
Lekë Dukagjini luftoi venedikasit mbi kontrollin e Danjës që nga viti 1456. Në 1456, Dukagjini pushtoi qytetin, por Venediku e rimori ate në gusht te vitit 1457. Dukagjini përfundimisht bëri paqe me Venedikun në vitin 1459, megjithatë nuk dihet nëse ai e pranoi kontrollin venecian të qytetit.
Në 1474, turqit otomanë drejtuan një sulm kundër Crnojević Zeta dhe Zetës së Venedikut (rreth liqenit të Shkdrës). Kjo luftë çoi direkt në pushtimin otoman të qytetit nga duart e Venedikut. Osmanët nuk kishin synim mbajtjen e qytetit, por ishin të kënaqur edhe vetem me rrenimin e fortifikimeve të saj.

“Qyteza e Gajtanit”, është e vendosur në shpatet e dy kodrave të larta dhe të izoluara. Ka një pozicion mbrojtës natyral. Rreth shek. VII para e.s., vendi u rrethua me mure të mëdha, të cilat edhe sot, afersisht pas 2600 vjetësh, janë ruajtur.

Shurdhahu

Qyteti mesjetar Sarda, sot kalaja e Shurdhahut, ndodhet në një ishull të liqenit Vau-Dejës afërsisht 10 milje nga qyteti Vau-Dejës dhe 4 milje nga fshati Rragam, 9 km nga qyteti i Shkodrës. Zona përreth kësaj qëndre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme jo vetëm për Shkodrën por për të gjithë vendin. Kjo zonë i përket një treve të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Ketu ndodhet vendbanimi i hershëm i Gajtanit (Shpella e Gajtanit), vendbanimi i Jubanit (Shpella e Jubanit), Qyteza e Gajtanit, kalaja e Danjës, kalaja e Dalmacës, etj. Qyteza e Sardës deri në fund të shekullit XV ka qënë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm.
Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J.G.Hahn dhe studiues e arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si mbartëse e kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar më vonë në Shurdhah ka origjinë Ilire siç dëshmohet nga qyteti i Sardis. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësite në të dy anët e Drinit nga liqeni i Shkodrës deri ne Kukës.
Sarda, dikur një qytezë përbri lumit Drin, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjeter Gjakovë – Shkodër – Ulqin, sot nga një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të uijt të kristaltë të Drinit, është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike. Uji i liqenit, malet dhe kodrat përreth me gjelbërimin e tyre, krijojnë një peisazh me bukuri të rrallë, duke i dhënë këtij ishulli vlera të mëdha ekoturistike.
Kur flitet për Shurdhahun si një destinacion turistik është e pamundur që ta ndash nga liqeni artificial i Vaut të Dejës dhe brigjet e tij piktoreske. Ndërtimi i Liqenit të Vaut të Dejes, për ishullin e Shurdhahut, patjeter që ka qënë dhe është një mundësi me vlera që i tejkalojnë dëmet që ka sjellë në trashëgiminë e tij historike. Liqeni me ujin e tij të pastër krijon mundësi për një udhëtim të veçantë dhe mjaft të këndshëm. Ai ka mbuluar murin rrethues të kalasë së Shurdhahut. Megjithatë, përsëri muret e mbetura te kishave dhe të kalasë janë mjaft domethënës dhe që bien lehtë në syrin e vizitorit.
Liqeni i Vaut të Dejës që rrethon Shurdhahun me ujrat e tij, shtrihet thellë nëpër lugina dhe udhëtimi përgjatë brigjeve të tij të ofron pamje piktoreske dhe të veçante ku ndërthuren uji i liqenit, bimësia përreth me kafshë të egra që rriten aty dhe shkëmbinjtë gëlqerore që janë herë të thepisur e herë jo. Udhëtimi në liqen mund të fillohet nga diga e H/C të Vaut të Dejës ose nga diga e Rragamit. Gjatë rrugës mund të shihet dhe mësohet për Kalane e Dejës në të cilën gjendet Kapela e zonjës së Dejës e ndërtuar nga Skënderbeu pas një fitoreje mbi ushtrinë venedikase në malin e Shën Markut, në majë të të cilit është kjo kala e vogël. Më pas vazhdohet me pamjet nga fshati i Sheldisë, i famshem për duhanin e tij, por që ka dhe një kishë të ndërtuar mbi një kodër.
Nga Shurdhahu mund të shkohet tek Shpella e Pëllumbave në veri që ofron një pamje të bukur si në vendndodhje ashtu dhe gjatë udhëtimit.
Shurdhahu përbën një potencial të rëndësishëm të zhvilimit të turizmit në këtë zonë. Ky destinacion i ofron turisteve të huaj dhe vendas shumë mundësi argëtimi: peshkim, kanotazh, piknik, shëtitje me varka në itinerare të tilla si Vau Dejës-Lisna-Shurdhah-Shpella e Pëllumbave etj